Telegrafi

Sërish mblidhen klubet e futbollit, kërkojnë nga MKRS licencimin e FFK-së – kërcënojnë me mosvazhdim të garave

Ka vazhduar saga e licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK-së) nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), ku sot janë mbledhur mbi 20 klube të futbollit.

Ata kanë diskutuar sot (e mërkurë) në zyrat e FFK-së për procesin e licencimit, ku për këtë ka folur donatori i KF Trepçës, Avni Haxhiu.

“Po jemi mbledhë sot për të diskutuar rreth procesit të licencimit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, kjo federatë i ka kompletuar dokumentet për licencim që disa ditë, por nuk kanë pranuar ende përgjigje”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.

Në anën tjetër, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se nëse FFK nuk licencohet deri më 31 mars, atëherë nuk do t’i vazhdojë garat.

“Në rast se nuk përfundon procesi i licencimit deri me datën 31 mars atëherë klubet janë dakorduar që të mos vazhdojnë më garat”, Tahir Batatina për Kanal10.

Lexo po ashtu Alarmojnë klubet: MKRS të licencojë FFK-në, po futemi në krizë financiare

Mësohet se në këtë mbledhje nuk kanë qenë pjesëmarrëse të gjitha kubet.

Klubet shkaku i mos-licencimit janë privuar nga ligji për sponsorizim, duke mos arritur të marrim mjetet që kanë në marrëveshje me kompanitë e mëdha.

Ministria e Sportit ditën e djeshme ka njoftuar se licencimi i federatave bëhet nga ‘Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive’ dhe nuk bie në përgjegjësinë e ministrit, Hajrullah Çeku.

FFK në anën tjetër aktualisht kryetarin e saj Agim Ademin e ka në arrest shtëpiak, pasi akuzohet për dy vepra penale: ‘Keqpërdorim i besimit’ si dhe ‘Shmangie nga tatimi’, duke keqpërdorur buxhetin e Federatës së Futbollit të Kosovës. /Telegrafi/