Telegrafi

Sërish alarm i rremë për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, policia nuk gjen asgjë të dyshimtë

(E plotësuar) – Pas marrjes së informatës për një mjet të dyshimtë në  Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetentë të Policisë së Kosovës, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, ka thënë Flora Ahmeti- zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.

—————————————————-

Sërish ditën e sotme ka pasur alarm për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

Ajo ka thënë se rreth orës 15:00, policia ka pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë.

“Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës. Informata është trajtuar nga ana e policisë”, ka thënë Ahmeti.

Lexo po ashtu Policia për tretën herë pranoi telefonatë të rrejshme për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë

Kjo është hera e katërt që përmes një telefonate anonime është duke u bërë një lajmërim i tillë.

Një telefonatë të tillë Policia e Kosovës së fundmi kishte pranuar edhe me 7 janar të këtij viti rreth orës 12:00.

Pas pranimit të telefonatës, Policia kishte kryer kontrollet në hapësirat e Stacionit të Autobusëve dhe nuk kishte gjetur asgjë të dyshimtë. /Telegrafi/