Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka quajtur lajm të mirë votimin e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pro Rezolutës për pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Rama përmes një postimi në Twitter tha se rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, është lajm i mirë për rajonin.
“Pezullimi i Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut është refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë. Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!”, ka shkruar Rama, transmeton Telegrafi.
Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë.Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!
— Edi Rama (@ediramaal) April 7, 2022
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia ka dashur të abstenojë nga votimi për pezullimin e Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, por për shkak të presionit u vendos që të votohet pro rezolutës.
Presidenti i Serbisë tha se kërcënimi me sanksione dhe ndalimi i rrugës evropiane po “rri pezull” mbi Serbinë, u bë për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj Moskës.
“Më pëlqen Perëndimi, e dua shumë Rusinë, por Serbinë e dua më së shumti në botë”, tha Vuçiq, duke theksuar se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara sot ka votuar për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i saj për të Drejtat e Njeriut gjatë një sesioni në Neë York.
Në fakt, 93 vende votuan pro mocionit të udhëhequr nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndërsa 24 vende votuan kundër dhe 58 shtete abstenuan. /Telegrafi/