Strukturat paralele në veri të Kosovës ende po vazhdojnë të funksionojnë, pavarësisht se me marrëveshjen e arritur para më shumë se tre vjetësh në Bruksel parashihet shuarja e tyre.
Për më tepër, Serbia edhe sot vazhdon t’i financojë ato struktura në komunat e banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.
Derisa ministrja për Dialog, Edita Tahiri, nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje derisa të kalojnë tensionet, përfaqësues të Komunës së Mitrovicës së Jugut thonë se shumë shpejt do të ndërpritet financimi dhe do të arrihet shuarja e tyre.
Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës vlerësojnë se Serbia nuk do ta ndërpresë financimin për strukturat paralele pasi që, sipas tyre, ajo nuk i zbaton marrëveshjet e arritura me palën kosovare.
Kurse, njohësit e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se me një praktikë të tillë Serbia vazhdon të tregojë se nuk është e gatshme të tërhiqet nga synimet e saj karshi territorit të Kosovës. /Zëri/