Telegrafi

Serbia thotë se Lesotho ka tërhequr njohjen e Kosovës, MPJ e Kosovës demanton dhe e quan propagandë të Daçiqit

Mediat serbe duke ju referuar një deklarate të Ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, raportojnë se Lesotho ka tërhequr qëndrimin politik mbi statusin e Kosovës dhe të gjitha deklaratat që mund të interpretohen si njohje e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo, një gjë të tillë e ka demantuar MPJ e Kosovës, duke e cilësuar këtë si propagandë të Serbisë ndaj Kosovës.

Njoftimin, për ndryshimin e qëndrimit politik të Mbretërisë së Lesothos ndaj Kosovës, e ka bërë të ditur shefi i diplomacisë serbe Daçiq pas një takimi me kryeministrin dhe shefin e diplomacisë të këtij shteti afrikano-jugor.

Qeveria e Mbretërisë së Lesotos ka rishikuar qëndrimin e saj politik për statusin e Kosovës, sipas një dokumenti nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Lesothos, të cilin agjencia serbe e lajmeve Tanjug raporton se e ka parë.

Lesotho e kishte njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2014 me ç’rast ishte bërë vendi i 106-të që njeh shtetin më të ri në Evropë.

Mirëpo, Jetlir Zyberaj – këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se Lesotho dhe as asnjë vend tjetër nuk ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Reagimi i Zyberajt vjen pas publikimit të një dokumenti nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ku ai pretendon se është tërhequr zyrtarisht njohja e Kosovës si shtet nga ky vend.

“Asnjëherë nuk ka pasur tërheqje të njohjeve. Kjo thjesht është propagandë e Daçiqit, e cila nuk duhet trajtuar seriozisht”, ka thënë Zyberaj për Klan Kosova.