Site icon Telegrafi

Serbia i ka shitur armë Izraelit pas nisjes së konfliktit me Hamasin

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) pretendon se Serbia, edhe pas datës 7 tetor 2023 ka vazhduar t’i shesë armë Izraelit.

Në artikullin e publikuar nga BIRN, edhe pse autoritetet zyrtare të Serbisë nuk kanë bërë deklarata lidhur me çështjen, thuhet se Serbia dy herë eksportoi armë në Izrael pas 7 tetorit 2023. BIRN ka kërkuar informacione për eksportin në fjalë nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme të Serbisë, por Ministria ka refuzuar të japë informacione për këtë temë.

Artikulli vuri në dukje se Ministria u siguron gazetarëve në mënyrë rutinore të dhëna për eksportet e armëve, si lloji dhe sasia e armëve të eksportuara, kompanitë e përfshira në eksport dhe cilët janë përdoruesit përfundimtarë të këtyre armëve, duke tërhequr vëmendjen se dështimi për t’iu përgjigjur kërkesës për këtë temë ishte “një situatë e pazakontë”, raporton aa.

Lexo po ashtu Izraeli vazhdon me sulme ndaj Hezbollahut - publikohen pamjet e reja të bombardimeve izraelite

“Edhe pse ministria refuzon të japë të dhëna, BIRN zbulon se kompania shtetërore e eksportit të armëve Jugoimport-SDPR ka dërguar dy dërgesa në Izrael nga tetori 2023 deri më sot me një vlerë prej mbi 1 milion euro. Sipas të dhënave të përpiluara të portalit Checkpoint nga Administrata Doganore, portali që mbledh të dhënat zyrtare të institucioneve qeveritare në një vend, Jugoimport-SDPR ka eksportuar mallra në Izrael në vlerë prej 540.120 euro në tetor të vitit 2023, ndërsa një dërgesë tjetër në vlerë prej 510 mijë eurosh ka bërë në shkurt”, thuhet në artikull.

Më tej në artikull thuhet se Izraeli nuk është në krye të listës së vendeve të cilave Serbia u shet armë dhe se fabrika shtetërore serbe “Prvi Partizan”, e njohur për prodhimin e municionit, i ka shitur Izraelit në muajin mars dhe prill të vitit 2023 municion në vlerë prej 780 mijë eurosh.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha në postimin e tij në rrjetet sociale më 7 tetor 2023 se “Izraeli meriton një jetë të qetë dhe të sigurt”.

Exit mobile version