Instituti për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, ka prezantuar sot në Prishtinë një analizë rreth sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Në analizën e përpiluar nga Instituti “OCTAPUS” theksohet se Serbia punon aktivisht në krijimin e botës serbe, ide e mbështetur nga Kisha Ortodokse serbe dhe Akademia serbe e Shkencave dhe Arteve, si dhe e risjellë në vëmendje së fundmi nga Aleksandar Vulin, duke shprehur haptazi ambiciet territoriale dhe idenë e shkatërrimit të disa shteteve të rajonit, nga ku më të rrezikuarat vazhdojnë të mbeten Kosova, Mali i Zi si dhe Bosnjë-Hercegovina.
“Gjatë kohës së pasluftës e deri më sot, Serbia ka ndërtuar rreth kufirit të Kosovës 20 baza policore dhe 28 baza ushtarake. Po nga viti 2022, Qeveria e Serbisë fillon stërvitjen e grupeve diversanto-terroriste nëpër kampe stërvitore ushtarake-policore. Këto stërvitje i planifikon, mbikëqyr dhe impelmenton kreu i ushtrisë serbe, policia dhe Shërbimi sekret serb i njohur si BIA”, thuhet në këtë analizë.
Drejtori i këtij Instituti, Agim Musliu tha se grupi i cili kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ishte përgatitur mirë me muaj të tërë.
Ai shtoi se Serbia vazhdon të paraqesë rrezik permanent për Kosovën, gjersa sipas tij grupi që kreu sulmin përveç përgatitjes është edhe i armatosur mirë, shkruan Telegrafi.
“Urdhërdhënësi i tyre është presidenti Aleksandar Vuçiq. Nuk hezitoj ta them që Vuçiq e tejkaloj Millosheviqin, i duhet vetëm të luftoj dhe ta tejkaloj në të gjitha sferat”, tha Musliu.
Eksperti i sigurisë shtoi se presidenti serb ka përgatitur me muaj të tërë terrenin propagandistik, para sulmit të 24 shtatorit.
“Vuçiq ka përgatitur terrenin propagandistik me muaj të tërë, duke akuzuar kryeministrin Kurtin se po ndërmerr veprime kundër serbëve lokalë në veri. Ky terren propagandistik i parapriu pastaj sulmit që ndodhi. Serbia paraqet rrezik permanent për Kosovën”, tha Musliu. /Telegrafi/