Telegrafi

Serbia nuk e mbështet deklaratën e BE-së për vdekjen e Navalnyt

Serbia nuk e ka mbështetur deklaratën e Bashkimit Evropian në të cilën përgjegjësia për vdekjen e opozitarit rus Alexei Navalny i atribuohet presidentit rus Vladimir Putin, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike në Bruksel.

Të mërkurën, më 28 shkurt, skadoi afati për vendet e treta për të deklaruar nëse pajtohen me qëndrimin e BE-së në lidhje me vdekjen e Navalnyt, transmeton Telegrafi.

Burimet e Rel-it sqaruan se Serbia nuk është deklaruar fare deri në afat, gjë që për procedurat e BE-së nënkupton se nuk është përmbajtur me qëndrimin e BE-së.

Lexo po ashtu Mbajti fjalim për mbi dy orë, Vladimir Putin për asnjë moment nuk e mori mundin ta përmend Alexei Navalnyn

Të njëjtat burime diplomatike konfirmuan se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë rreshtuar me qëndrimin e BE-së. Kjo deklaratë, thonë ata, nuk u mbështet nga Turqia dhe Armenia.

Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Rel-it për deklaratën e BE-së për vdekjen e Navalny.

Deri më tani, Serbia nuk ka respektuar asnjë nga masat kufizuese apo deklaratat kundër Rusisë, që BE-ja ka vendosur që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës.

Në deklaratën për vdekjen e Alexei Navalny, të publikuar më 19 shkurt në emër të BE-së nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, konsiderohet se përgjegjësia përfundimtare për vrasjen e Navalny është e presidentit Putin dhe autoriteteve të Rusisë. /Telegrafi/