Telegrafi

Serbia nis ”gjuetinë” e rrënimit të prodhuesve të suksesshëm kosovarë

Kosova edhe pse nuk prodhon shumë, ka kompani vendore që tashmë e kanë konsoliduar shumë mirë tregun e brendshëm, duke prodhuar produkte cilësore dhe me standarde evropiane.

Bile këto kompani kanë filluar edhe të eksportojnë përveç vendeve të rajonit, edhe në zonën e Bashkimit Evropian.

Mirëpo, sikur kjo veprimtari e suksesshme i ka penguar dikujt brenda Kosovë dhe jashtë saj, prandaj këto dy lloj grupacione janë bërë bashkë për t’i rrënuar vendorët.

Burime të Indeksonline brenda asociacioneve që mbrojnë interesat e prodhuesve vendor thonë se Serbia me disa ‘sekser’ në Kosovë po planifikon t’i sulmojë këto kompani dhe këta prodhues me prodhime të saja të dyshimta dhe me çmime promovuese.

“Ne kemi informacione të sigurta se Serbia në formë shtetërore ka hartuar një strategji qëllimkeqe për të nënshtruar prodhuesit dhe kompanitë e suksesshme kosovare të cilat janë konsoliduar brenda tregut të Kosovës dhe jashtë tij. Sigurisht se kompanitë serbe këtë nuk mund ta bëjnë të vetme, por ndihmohen nga subjekte të caktuara turbulluese në vendin tonë”, thonë këto burime.

Nuk është hera e parë që Serbia tenton ta mbys prodhimin vendor me të vetmin qëllim që ta zgjeroj edhe më të tej tregun në Kosovë. Që nga paslufta, Kosova importon çdo vit me qindra miliona euro mallra në Kosovë.

Këto mallra shpeshherë janë të klasifikuara si të “dorës së dytë” dhe nuk i plotësojnë standardet e nevojshme, kështu që në jo pak raste është dëshmuar cilësia e dobët e prodhimeve serbe.

Meqë kohëve të fundit ekzekutivi dhe legjislativi i kanë marrë një sërë reformash ekonomike, prodhuesit kosovarë disi kanë arritur të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese dhe ta mbulojnë një pjesë të mirë të tregut me prodhime cilësore.

Në këtë ekspansion të ri të Serbisë dhe të ndihmuar nga brenda Kosovës, institucionet duhet të marrin masa në mbrojtje të prodhuesve vendor, në të kundërtën më nuk mund të flitet për treg të brendshëm e as prodhime vendore.