ëpërmjet investimeve për realizimin e një varg projektesh në veri të Kosovës, madje edhe të atyre infrastrukturore, Qeveria e Serbisë po bën përpjekje për përmirësimin e pozitës së popullit serb që jeton në veri të Kosovës, vlerësojnë drejtuesit e të ashtuquajturave “organe të përkohshme” në komunat e veriut të Kosovës.
Organet e tilla, nga autoritetet e Kosovës vazhdojnë të cilësohen si struktura paralele të Serbisë në Kosovë.
Por, Aleksandar Spiriq, kryetar i të ashtuquajturit “Organ i përkohshëm i komunës së Mitrovicës”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se projektet, për të cilat po investon Serbia në veri të Kosovës, kanë për qëllim zgjidhjen e problemeve, me të cilat banorët e kësaj hapësire po përballen tash e sa vjet.
Ndërtimi i ujësjellësit rajonal për tri komuna në veri të Kosovës, për të cilin Serbia ka investuar 10 milionë euro, sipas Spiriqit, do ta zgjidhë problemin me furnizimin me ujë.
Gjithashtu, sipas tij, do të bëhet zgjerimi i rrugës “Vlade Cvetkoviq” që çon drejt vendbanimit “Zveçani i vogël”, do të ndërtohet një çerdhe për fëmijë në “Lagjen e Boshnjakëve”, një depoje për ruajtjen e pemëve dhe perimeve, si dhe do të hapet “Shtëpia e sigurt” në Mitrovicë të veriut, për strehimin e femrave që janë viktima të dhunës.
Ai thotë se Qeveria e Serbisë, përmes të ashtuquajturave “organe të përkohshme” po financon edhe ndërtimin e njësive të banimit për çiftet e reja të martuara dhe rastet e rrezikuara sociale, si dhe një numër manifestimesh kulturore.
Megjithatë, Spiriq, thotë se nuk i kanë lejet për ndërtim nga autoritetet qendrore të Kosovës, për shkak se, sipas tij, lejet e tilla nuk ju nevojiten, marrë parasysh që, siç thotë ai,vetëqeverisja lokale punon sipas rregullave të procedurës dhe statutit.
“Kompetencat tona janë ato që na e mundësojnë që të gjitha ato projekte t’i realizojmë pa probleme. Këtu është Qeveria e Republikës së Serbisë dhe institucionet dhe institutet kompetente që punojnë sipas ligjeve të Qeverisë së Serbisë. Kjo, duke pasur parasysh që Drejtoria për pronësi e Serbisë është kryesore, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet juridike pronësore, e sidomos kur bëhet fjalë për ndërtime”, thekson Spiriq.
Kryetari i të ashtuquajturit “organ i përkohshëm” në Zveçan, Ivan Todosijeviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se aktualisht, në këtë komunë, Qeveria e Serbisë po financon dhe realizon ndërtimin e sanatoriumit “Rajska banja”, vendbanimin e quajtur “Lugina e diellit” dhe ujësjellësin rajonal.
“Gjithçka që kemi planifikuar dhe bërë, nuk do të ishin të mundura pa shtetin tonë Serbinë, pa Qeverinë e Republikës së Serbisë, pa Zyrën për Kosovën dhe pa Dioqezën e Rashkës dhe Prizrenit, të cilët i kanë identifikuar këto projekte dhe i kanë vënë në radhë si projekte me rëndësi të madhe nacionale. Po ndërtohet edhe ‘Lugina e diellit’, një vendbanim modern për të kthyerit, që do të lidhet me infrastrukturë të plotë dhe me përmbajtjet përcjellëse”, shprehet Todosijeviq.
Ai shton se në këtë vendbanim do të akomodohen rreth 300 familje të kthyera dhe Komuna e Zveçanit do t’i ketë rreth ose 1 mijë e 500 banorë të rinj.
Secila familje e kthyer, sipas tij, do ta fitojë edhe një vend pune. Ndërtimi i “Luginës së diellit” do të përfundojë në vitin 2017, thotë Todosijeviq, i cili shton se ndërkohë është duke u bërë studimi i realizimit të projektit për fabrikën e baterive, që do të vendoset në hapësirën e “Trepçës”, të cilën do ta financojë Qeveria e Serbisë.
Shefja e administratës komunale në Komunën e Mitrovicës së veriut, Adrijana Hoxhiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se suksesi i punës së vetëqeverisjes lokale matet me aftësinë e udhëheqjes së saj, në tërheqjen e mjeteve shtesë për investime në komuna, e sidomos kur bëhet fjalë për investime kapitale.
Lejet për zbatimin e atyre projekteve, sipas saj, janë kompetencë ekskluzive e vetëqeverisjeve lokale.
“Në qoftë se ne do ta kishim ndonjë investim nga ndonjë ambasadë ose edhe nga Republika e Serbisë, obligim yni si komunë e Mitrovicës së veriut, është që brenda mundësive tona ta mundësojmë realizimin e projekteve të tilla në terren. Ndërkaq, pajtimi dhe leja shkojnë nga komuna e Mitrovicës së veriut. Kjo kompetencë është e institucioneve lokale dhe jo e pushtetit qendror, në këtë rast Prishtinës”, deklaron Hoxhiq.
Në anën tjetër, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor e Qeverisë së Kosovës pati deklaruar se investimet e Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës, kur bëhet fjalë për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e diellit” në Zveçan, pa marrëveshje ose pa njoftim paraprak, paraqet përzierje të Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.
Sipas kësaj ministrie, projektet e tilla të mëdha, duhet të kalojnë nëpërmjet institucioneve qendrore, sepse për çfarëdo ndërtimi brenda territorit të Kosovës, vetë komunat duhet të marrin lejet përkatëse.