Dita kur Kosovës iu hoq autonomia nga Serbia, ishte 23 marsi i vitit 1989, ndërsa ish-deputetes Melihate Tërmkolli e cila sapo kishte mbushur 24 vjet, i kujtohet mjaft mirë.
Ajo këto kujtime e momente historike i ka rikthyer në librin “Mars i Acartë”.
Tërmkolli në një intervistë për Telegrafin ka folur rreth përmbajtjes së këtij libri. Ajo ka treguar për presionin dhe trysninë me tanke e me armatime të ndryshme ndaj saj dhe deputeteve të asaj kohe kur Kosovës iu hoq autonomia.
“Duke i parë zhvillimet e vazhdueshme politike dhe historike të vendit tonë, kam ardhur në një konstatim që jo rrallë herë na është përsëritur historia, dhe historia na është përsëritur sepse nuk kemi mësuar asnjëherë sa duhet qoftë nga gabimet tona apo përparësitë tona që kemi pasur gjatë zhvillimit tonë si komb, popull e shtet. I hyra kësaj pune me një vullnet të madh në mënyrë që të dokumentohet një periudhë historike, një moment i madh historik i shqiptarëve të Kosovës në vitet 89-90 atëherë kur Kosova u nda definitivisht nga Jugosllavia dhe hyri në rrugën e saj të pakthyeshme në procesin e lirisë dhe pavarësisë”, ka thënë Tërmkolli.
Ajo rrëfen se ishte periudha e viteve 88-89 ku shqiptarët u angazhuan në mbrojte të statusit politik e juridik, i cili po cenohej e po rrënohej me ardhjen Millosheviqit.
“Serbia dhe Millosheviqi përmes instrumentalizimit të serbëve dhe malazezëve të Kosovës filluan mitingjet që janë të njohura, dhe është shumë i njohur mitingu i mbajtur në Fushë Kosovë në prill 1987 aty ku shënohet filli i ngritjes deri në maja të politikës së Millosheviqit, që në fakt e vendos sundimin serb në Kosovë. Shqiptarët treguan një nivel të lartë të rezistencës edhe gjatë debatit publik për ndryshime kushtetuese. Në këtë debat shqiptarët në mënyrë masive kanë kundërshtuar miratimin e amendamenteve sipas masës së Serbisë, ishin për ato amendamente që nuk preknin parimet themelore të Kushtetutës 74 por jo edhe ato të tjerat. Amendamentet që ishin vënë në debat publik dhe ato që erdhën në Kuvendin e Kosovës më 23 mars 1989 ishin amendamente që në tërësi e suprimonin autonominë dhe statutin federal të Kosovës”, ka treguar Tërmkolli.
Ajo theksoi se fatkeqësisht edhe sot po ndodhin shfaqje të natyrave të tilla ndonëse jo me të njëjtën përmbajte, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse e ka shkruar këtë libër sot, pra që të mos përsëritet historia.
Pikërisht viti 89 është pika ndarëse, që e ndanë një epokë nga epoka tjetër për liri dhe pavarësi. Si elemente kryesore të këtij libri, Tërmkolli përmendi tri prej tyre.
“23 marsi 1989 suprimimi i autonomisë së Kosovës kishte tri pasoja: e para me suprimimin e autonomisë dhe statusit federal të Kosovës filloj shpërbërja e Jugosllavisë sepse u krijua një situatë e re dhe një rend i ri ku Serbia krijonte hegjemoni dhe dominim në krahasim me republikat tjera, u prish ai rend juridik dhe nuk kishte më bazë mbi të cilat ishte ndërtuar ajo Jugosllavi. E dyta po ashtu me këtë fillon okupimi de jure dhe de facto i Kosovës, dhe e treta është po atë vit ne kemi themelimin e LDK-së dhe fillimin e procesit institucional të pavarësisë së Kosovës, Deklaratën e 2 korrikut, funksionimin e Kuvendit, Kushtetutën e Kaçanikut dhe akte të tjera”, tha Tërmkolli. /Telegrafi/