Site icon Telegrafi

Serbia e sheh si presion mbi të kërkesën për transformimin e FSK-së në Ushtri

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese është synim i qeverisë së Kosovës, por nuk është hequr dorë që transformimi të mund të bëhet edhe përmes ligjit.

E gjithë kjo nëse ndryshimet kushtetuese janë të pamundshme për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve serbë në kuvendin e Kosovës. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës çdo ndryshim i saj duhet të marrë dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe po ashtu dy të tretat e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës. Në përpjekje për t’i bindur serbët, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës, thonë se “shndërrimi i FSK-së në ushtri të Kosovës do ta forcojë paqen në rajon”, dhe sipas tyre, ‘kjo Forcë tashmë është gati për të marrë rolin që i takon në dinamikën e sigurisë rajonale dhe globale”.

Por përfaqësuesit e serbëve të Kosovës tashmë janë deklaruar hapur kundër shndërrimit të FSK-së ushtri dhe për çështje të tilla – siç thonë ata – “koordinohen me qeverinë në Beograd”, e cila po ashtu e kundërshton transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, ka thënë se “shndërrimi i FSK-së në ushtri të armatosur do të ndikojë negativisht në stabilitetin rajonal”.

Serbia kundër

“Serbia nuk pranon dhe nuk do të pranojë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të armatosura, sepse kjo paraqet edhe shkelje të rëndë të të gjitha marrëveshjeve të deritanishme”, citojnë mediet serbe, ministrin Vulin.

Por ky qëndrim i Serbisë nuk i dekurajon institucionet e Kosovës në synimin e tyre. Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, tash në funksion zëvendësministër i FSK-së, i tha DW-së, se përpjekjet e institucioneve të Kosovës janë serioze dhe ai beson në procesin e përbashkët të transformimit të FSK-së.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që komuniteti serb në Kosovë çdo herë e më shumë po e rrit besimin në FSK. Kjo dëshmon të kundërtën e qëndrimeve të Serbisë, e cila në periudhën e fundit ka rritur presionin politik ndaj serbëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës, ministria e FSK-së dhe të gjitha institucionet e tjera janë në angazhim të përditshëm për koordinimin e plotë të procesit të tranzicionit të FSK-së me të gjithë aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë”, thotë Burim Ramadani.

Sipas zotit Ramadani, transformimi i FSK-së do të bëhet në formë krejtësisht transparente me NATO-n dhe partnerët e Kosovës, sikurse edhe me qytetarët dhe komunitetet etnike në Kosovë.

“Në secilën situatë, institucionet e Kosovës janë të interesuara dhe të përkushtuara që ky proces të përfshijë edhe ndryshimet kushtetuese, kurdo që mund të ndodhin ato. Porse, kjo jo domosdoshmërisht pamundëson ndryshimet substanciale të kërkuara përmes ndryshimeve ligjore. Për këtë aspekt, angazhimi në koordinimin e qasjes së përbashkët është në vazhdimësi. Tranzicioni i FSK-së në substancë bëhet përmes ndryshimeve ligjore. Ndërsa, ndryshimet kushtetuese i ndërrojnë emrin dhe e maksimalizojnë mbështetjen politike në Parlament”, thotë Burim Ramadani.

Vendosmëria e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës që FSK-në ta shndërrojnë në forcë të armatosur, për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është presion mbi deputetët serbë në kuvendin e Kosovës dhe po ashtu presion edhe mbi Serbinë.

“Është i qartë qëllimi i shqiptarëve dhe i një pjese të faktorit ndërkombëtar që ta dobësojë pozitën e Serbisë dhe të Listës serbe në Kosovë. Ky presion do të vazhdojë edhe më tej edhe te deputetët serb të Kuvendit të Kosovës që ta pranojnë themelimin e Ushtrisë së Kosovës”, citon mediumi publik serb presdentin Vuçiq.

Kosova po shqyrton të gjitha mundësitë

Por kryeministri i i Kosovës, Ramush Haradinaj, krijimin e ushtrisë së Kosovës e sheh në një plan më të gjerë. Ai gjatë një konference që u mbajt javë më parë në Prishtinë “NATO dhe Ballkani Perëndimor”, pati thënë se “respekti në Ballkan është i nevojshëm, madje Kosova meriton të anëtarësohet në NATO”.

“Sfidat që ne i veçojmë janë ekstremizmi global, ndikimi i Rusisë në Ballkan dhe kërcënimet kibernetike. Respekti në Ballkan është i nevojshëm. Ne duam dhe meritojmë të anëtarësohemi në NATO. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet. Synojmë që deri 2020 të arrijmë anëtarësimin në NATO. Themelimi i FSK-së e ndihmon këtë proces dhe ofron siguri për të gjithë qytetarët”, pati deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj.

Në të njëjtën linjë qe shprehur edhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli, i cili tha se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë ka arritur kapacitetet e nevojshme për të dhënë kontributin e drejtpërdrejtë si anëtare e NATO-os.

“Ne ndihemi krenarë me kadetët e FSK-së për suksesin që po tregojnë në garat më të mëdha ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s. Ky sukses është vetëm një shembull që tregon se kjo Forcë është gati për të marrë rolin që i takon në dinamikën e sigurisë rajonale dhe globale. Transformimi i saj në Ushtri të Kosovës është proces i pandalshëm, i domosdoshëm dhe në interes të të gjitha palëve”, është shprehur Kadri Veseli.

Zyrtarë të NATO-s dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare janë shprehur disa herë që NATO e mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së, ndërsa, transformimi i saj në ushtri të Kosovës mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës. Nëse FSK-ja do të shndërrohej në ushtri të Kosovës, mandati i saj do të ishte mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, qytetarëve pa dallim, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës.

Forca aktuale e sigurisë së Kosovës e krijuar pas transformimit të TMK-së, është forcë shumëtnike. Sipas zëvendësministrit Burim Ramadani, 4.2 % e pjesëtarëve aktiv të FSK-së vijnë nga komuniteti serb i Kosovës. FSK-ja aktualisht është e armatosur lehtë dhe me uniformë dhe mund të marr pjesë vetëm në operacione për të shpëtuar civilë në raste krizash natyrore. Ndërsa, për sigurinë e kufijve të Kosovës është përgjegjëse forca paqeruajtëse KFOR me rreth pesë mijë trupa.

DW

Exit mobile version