Shumë serbë, kësaj vere kanë vendosur që pushimet e tyre t’i kalojnë në Shqipëri. Arsyeja kryesore janë çmimet e lira të ofertave turistike.
Madje, sipas përfaqësuesve të agjencive turistike, në interesimin për këto oferta nuk kanë ndikuar as “droni” e as deklaratat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, transmeton Telegrafi.
Në webfaqen e agjencisë “Falkon” në kategorinë “Vera 2015”, Shqipëria është vendi i parë i ofruar për pushimet verore, e pasuar nga Mali i Zi e Greqia.
Oferta që kushton 215 euro përfshinë 11 ditë pushime, transportin me autobus dhe pjesë tjera nga “programi ofertues”.
“Arsyeja ndoshta është sepse pushimet në Shqipëri në mënyrë të konsiderueshme janë më të lira se sa në Greqi apo Turqi, dhe kushtet janë me të vërtetë fantastike. Bregdeti i saj, bukuritë e saj, mund të krahasohen me shumë destinacione turistike të zhvilluara”, kanë deklaruar përfaqësues të agjencisë “Falcon” për mediat serbe.
Se në Shqipëri ka interes të madh, e kanë konfirmuar edhe nga agjencia “Arriva”, transmeton Telegrafi.
Gordana Andjeliç nga kjo agjenci ka deklaruar se turistët serbë në vitet e fundit po ”lirohen” nga paragjykimet kur është fjala për Shqipërinë dhe u shpreh se ky destinacion është më popullor në mesin e qytetarëve të Beogradit.
“Ne kemi vërejtur se shumica e turistëve që e përbëjnë mësuesit, të rinjtë, si dhe të moshuarit, u pëlqen të udhëtojnë dhe nuk kanë paragjykime. Për momentin, interesi më i madh është në Durrës, kryesisht për ato hotele, stafi i të cilëve flasin serbisht”, ka thënë ndër tjerash ajo. /Telegrafi/