Që nga sulmet e NATO-s ndaj caqeve policore e ushtarake serbe në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, asnjë president amerikan nuk ka vizituar Serbinë. Derisa ata kanë vizituar Slloveninë, Kroacinë, Hungarinë, Shqipërinë Bosnjën dhe Kosovën, mediat serbe shtrojnë pyetjen: Pse po e anashkalojnë Serbinë?
“A ka të gjallë në Administratën amerikane që kujtohen se kush ishte presidenti i fundit amerikan që ka vizituar Beogradin?”, ka pyetur para ca ditësh ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke komentuar temën e ndikimit rus në Serbi.
“Askush nuk ka të drejtë të ankohet. Vetë janë fajtorë”, ka shtuar Daçiqi.
Që nga viti 1980, që nga presidenti Jimmy Carter që kishte vizituar ish-Jugosllavinë, asnjë president amerikan nuk ka shkelur në Beograd. Para tij, për vizitë ishin Richard Nixon (1970) dhe Gerald Ford (1975). Ndërkohë, rajonin – por jo Serbinë – e kanë vizituar: Bill Clinton dhe George W. Bush. Obama kishte shmangur këtë pjesë të Evropës, shkruan Blic, transmeton Telegrafi.
Në Kroaci ishin katër presidentët Bill Clinton (1996) dhe George W. Bush (2008). Në Slloveni Bushi ishte dy herë. Në Hungari ishin George Bushi – i vjetri dhe i riu. Clintoni ishte dy herë. Bushi i ri dhe Clintoni ishin edhe në Bullgari dhe Rumani, ndërsa në Maqedoni ishte vetëm Clintoni që ka qenë dy herë edhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Clintoni ka vizituar edhe Kosovën më 1999, ndërsa Bushi i ri Shqipërinë më 2007 dhe Kosovën më 2001 kur ishte për vizitën në bazën Bondsteel.
Milan Protiq, ish-ambasadori i Serbisë në SHBA, thotë se shtetet e rajonit kanë raporte më të mira me amerikanët, për dallim nga Serbia.
“Unë kam synuar ta sjelli Bushin. Ai premtoi, por pastaj ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit”, thotë ai duke shtuar se vizita e tillë nuk është punë e lehtë.
Ish-ambasadori tjetër në SHBA, Ivan Vujaçiq thotë: “Shumë gjëra kanë ndërruar. Deri vonë në Serbi fshiheshin dy të arratisur të Hagës, e ne nuk jemi politikisht ata që ishim në kohën e Titos”.
Dy zyrtarët e fundit serbë që i ka pranuar një president amerikan ishin Vojisllav Koshtunica dhe Zoran Gjingjiqi që janë takuar në Washington me George W. Bushin. /Telegrafi/