Site icon Telegrafi

Serbët paralajmërojnë se nga e hëna, në veri do të mbyllen të gjitha dyqanet, përfshirë edhe furrat e bukës

Kryetari i të ashtuquajturës Shoqata e Biznesmenëve në veri të Kosovës, Rados Petroviq, ka thënë se nga e hëna, 1 korrik, dyqanet e ushqimit, dyqanet tjera dhe kioskat, madje edhe furrat e bukës në veri të Kosovës nuk do të funksionojnë.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, ai ka thënë se një gjë e tillë u vendos në një takim me ndërmarrësit dhe se ka ardhur për shkak të taksës prej 100 për qind për produktet serbe, të vendosur nga autoritetet në Kosovë.

Lexo po ashtu "Katastrofa humanitare", zbulohet dokumenti që kërkon nga serbët të mos blejnë ushqime nga shqiptarët

Siç ishte raportuar nga mediat, dyqane të boshatisura ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, që për qëllim kanë pasqyrimin e një gjendje të rëndë të ashtuquajtur ‘katastrofë humanitare’ për qytetarët e veriut, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, të dirigjuar nga Beogradi.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur deklaratën që Kosova ka njohuri që në veri të vendit po bëhen përpjekjet për të improvizuar një “krizë humanitare”.

Lexo po ashtu Skenari serb për “katastrofë humanitare”, veriu i mbushur me mallra ushqimore e ilaçe (Video)

Siç ka thënë ai, të martën, në një konferencë për media, pas mbledhje së Qeverisë, në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen.

Kosova, në nëntor të vitit të kaluar, ka vënë taksën prej 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia, për shkak të, siç kanë deklaruar autoritetet në Prishtinë, sjelljes destruktive të Serbisë ndaj Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version