Site icon Telegrafi

Serbët në veri protestojnë kundër taksës, fletarresteve dhe ‘aneksimit’ të veriut

Qytetarët serbë në veri të Mitrovicës protestuan sot te përmendorja e ‘Car Llazarit’ kundër taksës ndaj mallrave serbe, ‘tentimit të aneksimit’ të veriut të Mitrovicës, Trepçës dhe liqenit të Ujmanit, fletarresteve ndaj serbëve të veriut dhe të ngjashme.

Ata mbanin flamuj të Serbisë dhe Trepçës, si dhe pankarta me mbishkrimet ‘Trepçën nuk e japim’, ‘Të huajt vinë e shkojnë, taksat mbeten’, ‘Ndaloni me përndjekjen e serbëve’, ‘Nuk e japim veriun’ ‘Stop aktakuzave të montuara’ etj.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Igor Simiq, tha se edhe pas katër muajsh të aplikimit të taksës nga Prishtina zyrtare, serbët janë ‘më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur për të mbetur në këto hapësira’.

Ai porositi serbët të jenë të bashkuar më shumë se asnjëherë më parë dhe kurrsesi të mos ndahen.

Njëri nga organizatorët e kësaj proteste, Millan Ivanoviq, njëherësh drejtor i spitalit në veri të Mitrovicës, ka akuzuar institucionet e Kosovës të cilat siç u shpreh ai, përmes aplikimit të taksave, formimit të ushtrisë, tentimin e marrjes së Trepçës dhe liqenit të Ujmanit, si dhe aneksimin e Mitrovicës, po synohet spastrimi etnik i veriut.

Sipas tij, reagimi i shpejtë i ministrave serbë të mbrojtjes dhe policisë, kanë pamundësuar deri tani një gjë të tillë.

Ndërsa, Ratomir Millojeviq, kryetar i sindikatës së punëtorëve të Trepçës në veri, tha se nuk do të pranojnë miratimin e një ligji, i cili nuk përfillë interesat e tyre.

Exit mobile version