Site icon Telegrafi

Serbët mblidhen në Gazimestan për festën e Vidovdanit – policia ruan rendin

Dhjetëra serbë janë mbledhur për të festuar “Vidovdanin” në Gazimestan të Obiliqit, një festë serbe që festohet më 28 qershor, në kujtim të Betejës së Kosovës të zhvilluar në vitin 1389.

Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Lazar.

Pranë monumentit në Gazimestan kanë filluar të grumbullohen qytetarët serbë, ndërkaq për sigurinë e tyre dhe respektimin e rendit dhe qetësisë publike po përkujdesen forcat e Policisë së Kosovës.

Policia po i kontrollon të gjithë personat që po hynë në oborrin e objektit kulturor.

Një person është ndaluar nga policia, për shkak se i njëjti kishte të veshur një bluzë me mëngë të shkurtra në të cilën shihen simbolet e ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë.

Simboli i cili shihet në ballinë të një tanku është shkronja “Z”.

E vendosur në tanke, në bluza, e vizatuar në mure ndërtesash e në shumë vende të tjera, shkronja ‘Z’ është shndërruar në simbolin e luftës së Rusisë në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt.

Fillimisht, simboli ‘Z’ u pa në tanket që ishin nisur drejt kufirit të Ukrainës, disa ditë para se presidenti rus, Vladimir Putin, të urdhëronte pushtimin e shtetit fqinj.

Ky simbol shpejt u shndërrua në simbol për mbështetjen e luftës së Putinit në Ukrainë.

Çfarë kuptimi ka simboli “Z”?

Ekspertë të ndryshëm kanë spekuluar lidhur me kuptimin e simbolit ‘Z’, por edhe për shkronjat e tjera përfshirë ‘O’, ‘X’, ‘A’ dhe ‘V’ që janë shfaqur në tanket ruse, shpesh të futura brenda formave rrethore, trekëndëshave dhe formave tjera gjeometrike.

Disa kanë sugjeruar se kjo është forma zyrtare për të parandaluar që tanket ruse të dallojnë armiqtë nga aleatët, shkruante “The Washington”.

Disa ekspertë ushtarakë e kanë interpretuar kuptimin e ‘Z’-së si “Za pobedy” që nga rusishtja përkthehet “për fitore”, ose “Zapad” që shqip i bie “Perëndim”.

Ndërkaq, disa të tjerë kanë thënë se kjo është forma e Kremlinit për të treguar “shënjestrën numër një në Ukrainë”, presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelenskyy.

Disa ekspertë ushtarakë pro-Kremlinit kanë thënë se përderisa shkronja ‘Z’ është për Zelenskyn, shkronja V është për Vladimir Putinin.

Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar asnjë prej këtyre teorive, por ka postuar në llogarinë në Instagram se simboli ‘Z’ ka kuptimin “Za pobedu” që në shqip i bie “për fitore”, ndërkaq, shkronja ‘V’ qëndron për “fuqinë e së vërtetës”.

Disa ekspertë thonë se vendosja e kësaj shkronje në tanke dhe përdorimi i saj nga njerëzit, qoftë të stampuar në rrobat e tyre, apo të postuar në rrjetet sociale, është përpjekje shtetërore e Rusisë për mbështetjen për luftën në Ukrainë. /PortaliD/

Exit mobile version