Edhe pse pesimist se do të sjellin ndryshim, serbët e pjesës veriore të vendit janë të gatshëm që të marrin pjesë në zgjedhje. Ndërsa, nga shoqëria civile atyre po u kërkohet që të injorojnë politikat e Beogradit dhe të fokusohen në interesat e tyre.
Serbët e veriut të Kosovës janë të gatshëm që të jenë pjesë e procesit zgjedhor të 6 tetorit, por ata nuk presin ndonjë ndryshim të madh nga ky proces.
“Unë do të votoj dhe dua një jetë më të mirë në Kosovë. Nuk pres shumë nga këto zgjedhje, por dua vetëm të jemi të barabartë me të tjerët këtu, pa dallim feje apo etnie”, shprehet një qytetare serbe.
“Unë nuk jetoj këtu, kam dokumentet e Francës por kam dëgjuar se Haradinaj ka dhënë dorëheqje dhe nuk është që pres diçka të re nga zgjedhjet e radhës”, shprehet një tjetër qytetar serb i Kosovës”.
Ka të tillë, që edhe kanë preferenca partiake.
“Unë sigurt jam me Listën Serbe andaj prej tyre pres diçka të re e nga partitë tjera kosovare nuk pres asgjë”, shprehet qytetari tjetër serb, përcjell Telegrafi.
Nga Shoqëria civile në vend, thonë se serbët e veriut duhet të fokusohen në interesat e tyre dhe jo në politikat e Serbisë.
“Ata së fundmi kanë deklaruar se për zgjedhjet e 6 tetorit do të konsultohen me presidentin e Serbisë, Vuçiq. Ndërsa ky i fundit u ka bërë thirrje serbëve se e dinë për cilën parti duhet të votojnë. Serbët e Kosovës duhet t’u japin më shumë rëndësi jetesës së tyre më të mirë e jo politikave të Beogradit”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Allen Meta.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuqiq ka konfirmuar se Lista Serbe do marr pjesë në zgjedhje, ndërsa së fundmi është krijuar edhe një koalicion tjetër nga partitë serbe, të udhëhequra nga Nenad Rashiq e Rada Trajkoviq. /Telegrafi/