Site icon Telegrafi

Serbët e Kosovës të frikësuar, thonë se po detyrohen të qëndrojnë në barrikadat në Jarinjë dhe Bërnjak

Disa punonjës të institucioneve serbe që veprojnë në Kosovë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (në gjuhën serbe) se ata janë “të detyruar” të marrin pjesë në bllokimin e vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. Ata deklarojnë se autoritetet lokale po u kërkojnë ta bëjnë këtë, por ata këmbëngulën që identiteti i tyre të mos zbulohet.

Gjithashtu, derisa protestat vazhdojnë në këto pika kufitare, shumica e objekteve të hotelerisë në katër komuna në veri të Kosovës po mbyllen.

Lexo po ashtu Pamje nga veriu i Kosovës, serbët vazhdojnë të bllokojnë rrugët me kamionë

Siç iu konfirmua REL-it, qëllimi i kësaj mase është që sa më shumë njerëz të shkojnë në barrikada në Leposaviq, ku ndodhet pikë-kalimi Jarinjë, ose në Zubin Potok, në territorin e të cilit ndodhet kalimi kufitar Bërnjak.

Megjithatë, as pronarët e restoranteve në veri të Kosovës nuk kanë dashur të zbulojnë identitetin e tyre, transmeton Telegrafi.

Udhëkryqi Jarinjë dhe Bërnjak, por edhe rrugët që të çojnë në to janë bllokuar për katër gjashtë nga serbët vendas, për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për reciprocitet të targave me Serbinë.

 

Theksojmë se kjo nuk është hera e parë që serbët vendosin barrikada në veri të Kosovës. Ata u krijuan për herë të parë në protestë, në 2011 në mënyrë që Kosova të mos ushtrojë pushtet në veri.

Në vitin 2011, KFOR-i identifikoi Zvonko Veselinoviqin si personin që organizoi ngritjen e barrikadave dhe trazirave në atë pjesë të Kosovës.

Zvonko Veselinoviq, një biznesmen nga veriu i Kosovës, së bashku me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është i lidhur me disa veprime kriminale kundër të cilave janë kryer disa procedura para autoriteteve gjyqësore në Serbi.

Një aktakuzë u ngrit kundër Veselinoviq dhe Radoiçiq në vitin 2011, duke i akuzuar ata për keqpërdorimin e 32 kamionëve Hypo Alpe Adria Leasing, që përkonte me vendimin e Beogradit për të filluar një dialog me Prishtinën dhe duke u bërë thirrje serbëve nga veriu i Kosovës që të hiqnin barrikadat. Të dy u liruan nga akuzat në vitin 2016. /Telegrafi/

 

Exit mobile version