Telegrafi

Serbët dizajnojnë këpucë për gruan e Trump, ëndërrojnë që ajo të bëhet Zonja e Parë (Foto)

Dy palë këpucë, një palë të bardha dhe një palë ngjyrë floriri, janë dhurata e një kompanie këpucësh serbe për Melanie Trump, bashkëshorten e republikanit që kandidon për “Shtëpinë e Bardhë”.

Nëse Trump do të zgjidhet si president, dizajnerët e tyre besojnë se këto këpucë janë idealet për Melanie si zonjë e parë. Megjithatë menaxheri i fabrikës tha se kjo është një dhuratë tepër simbolike dhe modeste, transmeton Top Channel.

 

“Ato mund të mos jenë diçka mahnitëse, por janë të bëra me shumë dashuri dhe me dëshirën për të bërë ndryshim të madh. Ne kemi shpresën për një të ardhme më të mirë”, është shprehur menaxheri i fabrikës, Marinko Umicevic.

Shumë serbë kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për Trump dhe e kanë refuzuar Hillary Clintonin për presidente, pasi bashkëshorti i saj, Bill Clinton, mbështeti sulmet ajrore të NATO-s mbi pozicionet e tyre.

Megjithatë, gjesti i kompanisë përtej politikës është gjithashtu edhe një mbështetje për atë që e kanë cilësuar si “një grua nga rajoni ynë”, pasi Melania Trump ka lindur dhe është rritur në Slloveni që ka qenë pjesë e ish-Republikës jugosllave para shpërbërjes në vitet e nëntëdhjeta.