Telegrafi

Arrestimi i zyrtarit të ATK-së nga Serbia – reagon Pacolli

Autoritetet shtetërore të Serbisë kanë arrestuar Marjan Gjokajn, i cili punon për Administratën Tatimore të Kosovës, derisa po kthehej në Kosovë.

Kjo gjë është bërë e ditur nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Zv/kryeministri i vendit Pacolli tha se dënon veprimet e vazhdueshme të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

“Sapo jam informuar se autoritetet shtetërore te Serbisë kanë arrestuar Marjan Gjokajn i cili punon për Administratën Tatimore të Kosovës, derisa po kthehej në Kosovë. Unë e dënoj këtë veprim të vazhdueshëm të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm të tij.

Frikësimi dhe provokimet ndaj zyrtarëve të Kosovës qe udhëtojnë në Serbi nga aparati i sigurisë se Serbisë është një kujtim i mentalitetit të viteve ’90 në Beograd sot”, ka shkruar Pacolli.

Lexo po ashtu Një zyrtar nga Kosova arrestohet në Serbi

Motivet e arrestimit të Gjokajt nga autoritet serbe ende nuk dihen.

Kujtojmë se në vitin 2016 policia serbe kishte arrestuar drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e një fletëarresti të Gjykatës së Lartë në Nish, nën dyshime për veprën penale “të terrorizmit”.

Atij, autoritetet e drejtësisë në Serbi, i patën caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Pas arrestimit të Thaçit, Kuvendi i Kosovës pati miratuar një rezolutë, me të cilën kërkohej lirimi i menjëhershëm, dhe i kërkohej “Bashkimit Evropian që përmes mekanizmave të tij detyrues të ndërhyjë tek Qeveria e Serbisë që të lirohet Thaçi”./Telegrafi/