Senatorja nga shteti i Iowas, Joni Ernst gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë, ka thënë se investitorët potencial kanë nevojë për një sistem të fuqishëm ligjor.
Ernst tha se ka ardhur në Kosovë për të diskutuar se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vazhdojnë përkrahjen, por gjithashtu për mënyrat se si shteti i Iowas mund të zgjerojë rolin e saj përmes partneritetit afatgjatë ndërmjet dyja vendeve.
Ajo shton se partneriteti mund të lëviz përtej bashkëpunimit tashmë të fuqishëm ushtarak, duhet zgjeruar në edukim, zhvillim biznesi dhe në bujqësi.
“Ekzistojnë mënyra konkrete për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Kosovë. Është me rëndësi të synohen fushat me mundësi më të mëdha për bashkëpunimin e zgjeruar ndërmjet Iowas dhe Kosovës, siç është bujqësia”, tha Ernst.
Duke folur për zhvillimin e fuqisë punëtore, ajo theksoi rëndësinë e programeve të kualifikimeve profesionale për nxënësit, si një alternativë ndaj titujve universitarë, duke përmendur suksesin e programeve të tilla në Iowa.
Ernst theksoi se si këto programe përgatisin të rinjtë për tregun e punës, duke krijuar ndërlidhje më të mirë ndërmjet zhvillimit të shkathtësive me nevojat e punëdhënësve.
Lidhur me klimën e investimeve në Kosovë, senatorja Ernst tha se ka shumë njerëz të cilët do të kishin vullnet për të investuar dhe për t’u angazhuar në Kosovë, por investitorët kanë nevojë të sigurohen për një sistem të fuqishëm ligjor, të mbështetur nga respektimi i demonstruar për sundimin e ligjit. /Telegrafi/