Telegrafi

Senati amerikan përfshiu Kosovën në trajnime me forcat amerikane, Mehaj falënderon senatoren Shaheen

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka reaguar sot pasi Senati amerikan miratoi Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2024, një prej projektligjeve që përcaktojnë buxhetin dhe politikat e Departamentit të Mbrojtjes duke vendosur programet dhe aktivitetet e ndryshëm që lidhen me mbrojtjen.

Në kuadër të kësaj, senatorja amerikane Jeanne Shaheen një anëtare e lartë e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit, ka përmbledhur një mori prioritetesh në kuadër të këtij projektligji ku përfshihet edhe adresimi i situatës së sigurisë në Ballkan.

Senatorja Shaheen ndihmoi në sigurimin e një dispozite që do të zgjeronte një autoritet ekzistues për Departamentin e Mbrojtjes për të trajnuar forcat ushtarake partnere të Evropës Lindore si pjesë e stërvitjeve shumëpalëshe dhe do ta zgjeronte atë autoritet për të lejuar pjesëmarrjen e forcave ushtarake të Kosovës.

Lexo po ashtu Senatorja amerikane loboi që Senati amerikan të përfshijë Kosovën në trajnime me forcat amerikane

E pas kësaj ka reaguar ministri Mehaj i cili e falënderoi senatoren Shaheen për angazhimin e saj direkt në sigurimin e kësaj dispozite.

“Kaloi në Senat ligji që zgjeron autoritetin ekzistues të Departamentit të Mbrojtjes në ofrimin e mbështetjes për Kosovën përmes intensifikimit të ushtrimeve të përbashkëta, trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si pjesë e stërvitjeve shumëpalëshe, duke kontribuar kësisoj në thellimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake me ushtrinë amerikane.

Falënderoj senatoren Shaheen për angazhimin e saj direkt në sigurimin e kësaj dispozite. Vetëm përmes bashkëpunimit mund t’i kontribuojmë paqes së qëndrueshme”, tha ai. /Telegrafi/