Selvi Izeti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka thënë se viktimat e përdhunimit në fillim të periudhës së pasluftës kishin frikë të raportonin rastet e tyre.
Ajo në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se stigmatizimi i viktimave ishte prezent në masë të madhe.
“Paraqitja e rasteve të përdhunimeve në vitet e para të pasluftës ishte i vogël për shkak të frikës nga stigmatizimi. Shërbimet tona kanë qenë më diskrete, duke e ruajtur identitetin e tyre, në mënyrë që të mbroheshin nga stigmatizimi i mëtejmë”.
Psikologja thotë se derën e hapur viktimat e përdhunimit e kishin te organizatat e ndryshme, por jo edhe te institucionet shtetërore.
“Deri vonë viktimat e dhunës seksuale nuk kanë qenë fare të mbështetur nga institucionet shtetërore, të vetmet që kanë dëgjuar zërin e tyre ishin organizatat e ndryshme joqeveritare”, thotë Izeti.
Detajet e shumta që po iu kërkohen aplikantëve për te fituar statusin e viktimës, Izeti e sheh si proces që shkakton ritraumatizim, përcjell Telegrafi.
“Procesi është me të vërtet ritraumatizues, sepse ngjarja duhet të rrëfehet në detaje sa më të hollësishme”.
Duke u bazuar në rrëfimin e viktimave, psikologja thotë se në pjesën dërrmuese të rasteve familja nuk e di se ato janë të përdhunuara.
“Rreth 90 për qind të rasteve që janë paraqitur, thonë se as familja nuk janë në dijeni, madje as burri nuk e di”, tregon ajo duke hedhur dyshime se ndoshta burrat e dinë por bëhen sikurse nuk po e dinë.
Shqetësim sipas Izetit mbetet numri i madh i aplikacioneve që janë shtuar në periudhën e fundit.
“Deri në fund të vitit 2017 kemi pasur qindra raste që janë paraqitur në organizata të ndryshme, në momentin kur filloi verifikimi i këtyre viktimave në shkurt, kishte një fluks të madh të paraqitjes së këtyre rasteve”, ka shtuar më tutje ajo.
Izeti ka treguar se ka treguar se viktimat e përdhunimit nuk janë përzgjedhur në bazë të bukurisë apo moshës.
“Kemi raste të përdhunimit nga mosha nëntë vjeçare, e kemi edhe të tjera që janë përdhunuar në moshën 60 vjeçare. Të martuara ose të pamartuara, shtatzëna etj., ato nuk janë përzgjedhur, janë përdorur si armë e luftës”, ka përfunduar Selvi Izeti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës./Telegrafi/