Kryeministri Albin Kurti, që ka edhe shtetësi të Shqipërisë, të dielën, më 25 prill, votoi në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.
Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, ka komentuar votimin e Kurtit.
Në llogarinë e tij në Facebook, Selamanaj veprimin e Kurtit e ka quajtur të pakuptimtë dhe me pasoja gjeopolitike e gjeostrategjike.
“Pjesëmarrja në votime e kryeministrit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë, e pakuptimt, e papranueshme dhe me pasoja gjeopolitike dhe gjeostrategjike për shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e ka quajtur të “papranueshëm” votimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.
Edhe Enver Hoxhaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, ka kritikuar Kurtin, duke thënë se atij i “më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu”.
Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje garon në zgjedhjet në Shqipëri me tre kandidatë të regjistruar si të pavarur.
Kryeministri Kurti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se “votimi është detyrë qytetare për ata që e duan demokracinë”./Telegrafi.