Telegrafi

Selmanaj: Pas zgjedhjeve të reja, do të ketë koalicion LVV-PDK

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj flet për matematikat e mundshme pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Selmanaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se prej shumë vitesh ka një tendencë për ta larguar LDK-në nga skena politike.

“Tendenca është që në Kosova të bëhen dy blloqe: LVV dhe PDK, e të cilat janë të dala nga e njëjta ideologji, pra LPK”.

Ai thotë se edhe Ibrahim Rugovës eksponentë të caktuar që sot janë në LVV e PDK kanë dashur t’ia marrin kalanë nga brenda, përcjell Telegrafi.

Deputeti i LDK-së thotë se kurdo që të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë, pas tyre do të ketë koalicion LVV-PDK.

“Është faza tranzitore e afërsisë LVV-PDK. Kurdo që mbahen zgjedhjet do të ketë koalicion LVV-PDK”.

Selmanaj thotë se askush nuk ka të drejtë të kërkojë zgjedhje çdo dy muaj.

Lexo po ashtu Selmanaj: Albin Kurti nuk është i gatshëm për demokraci

“Zgjedhje mund të ketë vetëm kur nuk ka shumicë parlamentare. Derisa të ketë shumicë parlamentare nuk ka pse vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ndër të tjera Driton Selmanaj/Telegrafi/