Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Kuvendin e Kosovës, për shpenzimet e Qeverisë të bëra në festën e pavarësisë nuk ka mbledhur shumë deputetë, sidomos ata nga partitë në pozitë.
Këtë shqetësim e ka ngritur deputeti i LDK-së Driton Selmanaj i cili tha se nuk e kupton fare pse deputetët e këtyre partive nuk janë në sallë.
“Kemi thirr këtë debat parlamentare për shkak se nuk kemi arrit të marrim përgjigje nga Qeveria lidhur me shpenzimet e fondeve rezervë. Qeveria ka bërë një praktikë për ndarje të mjeteve pa analiza dhe po bëhen për apetite të koalicionit PAN”, tha Selmanaj.
Sipas tij, vetëm për periudhën e fundit të vitit 2018, 8 milionë euro ka krijuar shpenzime të paplanifikuara.
Po ashtu edhe në dy muajt e parë të vitit 2019, ka shpenzuar afër 50 për qind të rezervave për këtë vit. Duke iu referuar shpenzimeve për festën e 11 vjetorit të Pavarësisë, tha se ka pasur keqpërdorime edhe me blerjen e lapsave.
“Kjo Qeveri në vend që të shkruajnë me laps, po vjedh me laps”, tha Selmanaj. Qeveria sipas tij, ka kulturën zhvatëse e cila pengon zhvillimin socio – ekonomik në vend. /Telegrafi/