Koordinatori nacional për dialogun, Skender Hyseni ka udhëtuar sot për në Bruksel, ku të enjten do të mbahet takimi i radhës me palën serbe në kuadër të procesit të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Me ndërmjetësimin e emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takimin e nesërm, delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar rreth çështjes së pronës midis dy vendeve.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka sqaruar se nuk është pjesë e këtij takimi meqë ai do të mbahet në nivel të ekspertëve, ku temë diskutimesh do të jetë çështja e reparacioneve dhe dëmeve të luftës.
“Temat që janë në proces të dialogimit tash kanë të bëjnë me reparacionin edhe me çështjen e dëmeve të tjera të luftës dhe suksesionin. Janë tema që na interesojnë për shkak se Serbia ka përgjegjësi për të gjitha ato dëme dhe çështjen e suksesionit në të cilën nuk ka kaluar Kosova atëherë kur është bërë suksesioni i ish-Jugosllavisë. Ky është niveli i dialogimit i koordinatorit nacional, unë e kam shprehur mendimin dhe shqetësimin tim që nuk duhet të rrëshqasim në dialog teknik”, ka theksuar Selimi.
Veç tjerash ai tha se nuk është i informuar që nëse në këto takime do të diskutohet edhe çështja e asociacionit, raporton KP.
“Nuk e kam atë informatë nëse e marr vesh në ndërkohë ju lajmërojë. Por, nuk e kam atë informatë që temë do të jetë asociacioni”, tha Selimi.