Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka theksuar se Qeveria e Kosovës përveç që nuk ka reflektuar, e ka mohuar se ka krizë, e mohimi i krizës është krizë në vete.
“Të vetmit refleksion që e ka bërë qeveria deri tash ka qenë injorimi i kërkesave të opozitës. Mos reflektimi i saj edhe një herë i jep të drejtë Vetëvendosjes, shoqërisë civile e tërë atyre që e kanë kundërshtuar këtë qeveri”, ka thënë Selimi në emisionin “Rrokum Roll”.
Ai shoti se qytetarët nuk duhet të dorëzohen,dhe se ky është nënçmim, përbuzje, injorim i kërkesave dhe situatës.
“Lista Serbe nuk është për ta mbrojtur sovranitetin e pavarësisë së Kosovës, ata janë për të bërë shtetin e Kosovës, është pjesë e agjendës së qeverisë së Serbisë brenda Qeverisë së Kosovës, nuk mundesh me prit diçka më të mirë nga ata. Koalicioni PDK-LDK-Lista Serbe janë koalicion i Rashkës”, u shpreh Selimi.
Më tej Selimi ka folur për demarkacionin dhe atë që po thuhet se është kusht për liberalizimin e vizave.
“Edhe sikur të ishte kusht demarkacioni, do të ishte një e padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës se po mbesin të fundit të izoluar në një geto. Nuk e besoj që BE me vlerat që ka dhe përfaqëson, ka ardhur me një kësi niveli, që në këmbim të lëvizjes së lirë me marrë tokë. Nuk e kam pa asnjë dokument dhe nuk besoj që është kusht, unë besoj se ku është një kusht i qeveritarëve tanë karshi politikanëve. Edhe sikur të ishte kusht unë nuk kam pa asnjë qytetar të Kosovës, i cili kishte pranuar t’i ndërrojë 10 mijë hektarë për një pasaportë biometrike”, u shpreh Selimi.
Ai ka shtuar se opozita nuk e ka dorëzuar mandatin e vet me mospjesëmarrjen e saj në Kuvend, por siç u shpreh ai kjo është vazhdim i kundërshtimit të qeverisë dhe marrëveshjeve të dëmshme.
Selimi po ashtu tha se shpreson që ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi nuk do të ndodhë.
Ai shtoi se kthimi në Parlament është detyrë e tyre.
“Ne e kemi një mandat të cilin qytetarët na kanë besuar, e ne nuk kemi me ia dorëzuar mandatin tonë kryetarit Veseli. Qëllimi jonë është i njëjti me atë që e kemi pas qysh kemi hyrë në Kuvendin e Kosovës. Munden me ndryshu metodat, por jo edhe qëllimi”, tha në fund Selimi.
https://www.youtube.com/watch?v=8BAxcicQvsE