Site icon Telegrafi

Selimi: Nuk do të jetë i falur ai që amniston krimet e Serbisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se nuk do të jetë i falur ai që falë krimet e Serbisë, duke iu referuar kështu kryenegociatorit Hashim Thaçi.

“Nëse dialogu merr epilog do të jetë fatkeqësi për Kosovën dhe këtë do ta pengojmë që të mos ndodh ashtu siç është dizajnuar pasi brenda këtij dialogu është dizajnuar Zajednica. Nuk do të jetë i falur ai, nëse vendos ta pranojë krimin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Selimi në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Unë nuk e pranojë se ka pasur krime të të dyja palëve. Asnjëherë nuk pranojë ta identifikojë UÇK-në se ka bërë krime. Mund të ketë individ, por jo UÇK-ja”, u shpreh ai.

Selimi po ashtu theksoi se Serbia nuk mund të llogarisë që e ka humbur Kosovën pasi sipas tij nuk e ka pasur asnjëherë që ta humbë.

“Humbja më e madhe e Serbisë ka ndodhur më 12 qershor, nuk ka pasur humbje më të madhe dhe ne po ia zbusim atë që në fakt e ka humbur”, u shpreh Selimi.

Deputeti i VV-së e ripërsëriti qëndrimin e partisë së tij karshi dialogut Kosovë-Serbi.

“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë dhe do të jetë kundër këtij dialogu dhe për këtë i bëjmë thirrje edhe të tjerëve pasi nuk kemi pse flasim me Serbinë dhe duhet të kemi dialog me partnerët e jo me kundërshtarët”, tha Selimi.

Exit mobile version