Telegrafi

Selimi i kundërpërgjigjet Sheshelit: Kosova është zonë e ndaluar për kriminelët si ti

Pas deklaratës së ushtruesit të detyrës së ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, se organet e rendit do ta arrestojnë Vojisllav Sheshelin, nëse ai futet në Kosovë, ky i fundit i është përgjigjur në mënyrë shumë të çuditshme.

Kreu i radikalëve serbë ka thënë se Selimi dhe të tjerët dëshirojnë ta arrestojnë atë për t’ia marrë organet.

Ndërkaq, Selimi, i kontaktuar nga “Zëri”, ka thënë se nuk i lënë përshtypje deklaratat e Sheshelit.

“Shesheli ka qenë i arrestuar më 2003 nga Tribunali i Hagës dhe ndoshta nuk është i informuar se Kosova është Republikë e pavarur dhe zonë e ndaluar për kriminelin Sheshel. Marrëveshja e normalizimit e Brukselit si dhe marrëveshjet teknike të lidhura në Bruksel rreth vizitave të politikanëve nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas, ka autorizuar Ministrinë e Jashtme për dhënie të lejeve të hyrjeve në territor të Republikës së Kosovës, për zyrtarë dhe politikanë serbë, si dhe persona publikë që janë objekt i shqyrtimeve të organeve të sigurisë”, ka thënë Selimi.

Ndër të tjera Selimi ka thënë se dispozitat e ligjit për të huaj parashohin mundësinë t’u ndalohet personave hyrja në Kosovë.

“Nëse hyn në Kosovë ai do të kalojë kufirin ilegalisht dhe kjo besoj është bazë e mjaftueshme për arrest. Nëse ka edhe ndonjë rast të hapur për krime të luftës në Prokurorinë e Kosovës për të, këtë çështje duhet ta pyetni Prokurorinë e Kosovës”, tha Selimi.