Shefi i grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese me aktvendimin që e mori ku i dha të drejtë formimit të Qeverisë Hoti, u dëshmua se është gjykatë e kapur nga Presidentit Hashim Thaçi.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Selimi ka theksuar se Gjykata Kushtetuese u zbulua edhe një herë që në bazë të raportit që ka me shkelësit e saj e nxori këtë aktvendim.
“Ne kemi kërkuar drejtësi nga GJK dhe ne nuk kemi faj që nuk e kemi marrë atë. Nuk është kjo hera e parë që kemi kërkuar drejtësi nga GJK dhe nuk është hera e parë që ajo ka vendosur në disfavorin tonë – sikurse në vitin 2014 – dhe ne jemi pajtuar me faktin se GJK nuk na dha neve të drejtë”.
“Sot konstatoj që Qeveria Hoti është qeveri ilegale e dalë nga një proces joligjor me shkelje të Kushtetutës. Këtë nuk e thotë GJK, por e thotë kushdo që di ta lexojë Kushtetutën”.
Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse ta pranojë padrejtësinë që i është bërë nga Gjykata Kushtetuese.
“Ne e vlerësojmë si të padrejtë dhe e quajmë si të tillë. Padrejtësia është padrejtësi”.
“Në kurrë s’e kemi kontestuar numërimin votave, GJK nuk i numëroi votat sepse po ta bënte, do të merrte vendim tjetër. Nuk është analogji e njëjtë numërimi i votave me numërimin e partive politike”.
“Mos ma krahaso të lutem gjykatën e SHBA-ve më gjykatën e Thaçit. GJK doli edhe njëherë që në bazë të raportit që ka me shkelësit e saj e nxori këtë gjykim”.
“Prandaj si rezultat i raportit që kjo gjykatë ka me shkelësit e saj, e nxori një aktgjykim të tillë dhe ne kemi guxim t’ia themi kujtdo se është gjykatë e kapur – si rezultat e këtij raporti tani kemi një qeveri jolegjitime”.