Site icon Telegrafi

Selimi: Bashkimi Evropian, prioritet dhe synim strategjik për Kosovën

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur sot në takim Shefin e Zyrës se BE-se/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog.

Në këtë takim, ministri Selimi ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë që Ministria e Drejtësisë ka me Zyrën e Bashkimit Evropian, e cila ka ofruar mbështetje të vazhdueshme përmes projekteve të cilat kanë sjellë cilësi, ekspertizë dhe infrastrukturë në sistemin e drejtësisë.

“Në takim po ashtu u shkëmbyen pikëpamjet mbi rezultatet e Reformës në Drejtësi, veçanërisht procesi i Rishikimit Funksional i Sundimit të Ligjit dhe procesi i llogaridhënies duke përfshirë Vettingun si pjesë e reformës, përmes së cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Tutje në njoftim thuhet se përveç agjendës legjislative, ministri Selimi dhe Shefi i Zyrës se BE-se/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së,  Szunyog kanë diskutuar edhe për procesin e liberalizmit të vizave, si dhe detyrat të cilat e presin Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian, me ç’rast ministri Selimi ritheksoi se Bashkimi Evropian mbetet synimi strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për këtë institucionet e vendit janë të përkushtuara në avancimin e agjendës për integrim.

“Fuqizimi i sundimit të ligjit dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit janë rruga e vetme e Kosovës dhe garantuese për të ardhmen e saj në Bashkimin Europian”, tha Selimi.

Në kuadër të takimit Ministri Selimi ka shprehur shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë, e cila vazhdon të keqpërdorë Interpolin për ndalimin e qytetarëve të Kosovës.

Nga ana tjetër Shefi i Zyres se BE-se/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Szunyog ka theksuar se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i përkushtuar për të çuar më tej bashkëpunimin e ngushtë që ka me të gjitha institucionet e Kosovës për ta ndihmuar në proceset e zhvillimit të përgjithshëm si dhe bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.

Në përfundim të takimit, ministri Selimi duke falënderuar Szunyog për bashkëpunimin e deritanishëm ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e reformave në Kosovë dhe avancimit të agjendës të integrimit, e cili mbetet një nga synimet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version