Site icon Telegrafi

Selimi: Ata që po iu bëjnë gropa bashkëluftëtarëve, do të bien vetë në to (Video)

Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se ka qenë dëshmitar në rastin e fundit të procesit gjyqësor kundër Fatmir Limajt, dhe thotë se beson në pafajësinë e tij dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare.

Ai ka thëne se edhe rasti “Drenica” është më shumë konspiracion sesa hetim real, duke shtuar se beson fuqishëm në këtë rast dhe në pafajësinë e të akuzuarve.

Sipas tij, krejt vendi po kalon në një lloj konspiracioni dhe shtoi  se këta njerëz po persekutohen nga akterë të ndryshëm, të cilët nuk po ia donë të mirën luftës dhe vendit.

Selimi po ashtu ka komentuar edhe ndarjen e mjeteve nga Qeveria për mbrojtjen nga Gjykata Speciale, duke thënë se “lufta nuk mund të mbrohet as me 1.5 as me 150 milionë, sepse nuk kanë efekt dhe nuk munden me shfajësuar veten me këto para”.

Ai i ka akuzuar krejt deputetët që e kanë votuar Specialen. “Ata ia kanë bërë gropën ushtarëve të vetë UÇK-së, por në fund kanë me ra vet në gropë”.

Selimi, në emisionin Rrokum Roll të TV Rrokum, ka folur edhe për Rezolutën për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke e konsideruar atë si një inskenim të montuar, ku deputetët kanë mundur të kenë edhe konflikt fizik. Sipas tij, maturia e opozitës, në veçanti e Vetëvendosjes, e ka pamundësuar një gjë të tillë. /Telegrafi/

Exit mobile version