Site icon Telegrafi

“Selim Brosha mund ta dijë”, Musmurati tregon se çka i tha policisë zvicerane UDB-ashi Jakup Baftiu për vrasjen e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës

Ish i burgosuri politik, Basri Musmurati, ka treguar se Policia zvicerane kishte pyetur Bafti Jakupin, një pjesëtar i UDB-së, për njohuritë e tij rreth vrasjeve të këtyre veprimtarëve shqiptarë, Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zekës, kur Jakupi kishte kërkuar azil në Zvicër në vitet 2002-2003.

Jakupi kishte deklaruar se Selim Brosha, shefi i UDB-së për Kosovën, mund të kishte informacion mbi këto vrasje.

“Një nip i im i ka kryer studimet atje, ka qenë përkthyes në policinë zvicerane. Nuk e ka ditur që Baftiu ka pasur punë me mua, nuk i kam pas treguar. Dhe po më tregon kështu ka qenë filan fisteku në vitin 2003 ose 2004. Kur ia ka bërë dokumente për azil… dhe në mesin e tjerave e pyetën tha; po mirë a na tregon kush i ka vra vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën në Gjermani. Baftiu tha u përgjigj; Nuk e di. Polici zviceran po i thotë; nuk është e mundur që nuk e di ti, sepse ke punuar ne federatë, në sigurim. Kush e din prej shqiptarëve po e pyet polici. Nëse e din dikush duhet ta di vetëm Selim Brosha. Pastaj ky ka jetuar në Zvicrës, kam dëgjuar një kohë që është çmendur, a është gjallë më apo jo nuk e di”, ka treguar Musmurati në “Debat Plus” të RTV Dukagjini.

Musmurati ndau përvojën e tij pas arrestimit dhe marrjes në pyetje nga bashkëpunëtorët shqiptarë të Drejtorisë/Agjencisë së Sigurimit Shtetërorë, e njohur si UDB.

Ai tregoi se pas dhjetë ditësh nën mbikëqyrjen e autoriteteve, u dërgua fillimisht në burgun e Gjilanit dhe më pas në atë të Prishtinës.

Lexo po ashtu “Mjaft më, e mbyte njeriun”, ish i burgosuri politik tregon për cinizmin e serbëve e mburrjen e shqiptarëve teksa e torturonin

Në Burgun e Gjilanit, Musmurati përjetoi tortura, të cilat ai i përshkroi si të dhunshme.

“Në Gjilan vetëm një torturë e kam pas para se më përcillnin për Prishtinë. Ai i pari që më ka torturuar atje ka qenë një Tefik Mehmeti i Vitisë që ka punuar në Sigurim në atë kohë. Nuk mundem me thanë që ajo ka qenë një torturë shumë e rëndë”, ka thënë Musmurati.

Gjërat u përkeqësuan në Prishtinë, ku torturat ishin të vazhdueshme e më të dhunshme sesa në Gjilan. Musmurati përshkroi se si hetimet filluan menjëherë pas mbërritjes së tij dhe se ai nuk kishte paqe as ditën e as natën.

“Aty nuk ma kanë ndalur drunin as ditë, as natë. Më merrnin në mëngjes në orën 9 e gjysmë më kthenin diku në orën një e gjysë pas dreke… në ora 9 ka qenë fjetja në burg, taman bija me fjet përsëri në 9 e gjysmë më merrnin e më dërgonin në sigurim dhe atje torturat s’jonë nal kurrë asnjëherë”, ka shtuar ish i burgosuri politik.

Ai tregoi se Bafti Jakupi ishte konsideruar si një prej njerëzve më të besuar të sigurimit serbo-jugosllav, i njohur si UDB, që pretendonte shkatërrimin e “irredentës shqiptare.”

Musmurati kujtoi komunikimet e Jakupit me sigurimin serb përmes radiolidhjes, ku ai referohej si “Bafti Jakupoviq” dhe përmendte planin për të shkatërruar lëvizjen shqiptare.

“Qohej prej karrigës e lëvizte, a shefe, si je, unë jam këtu, këtu e kam atë profesorin për të cilin të kam folë dhe na duhet edhe pak kohë me shkatrru irredentën shqiptare”, përshkroi Musmurati bisedat e Jakupit.

Exit mobile version