Telegrafi

Sela-Thimonier: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndahen nga procesi i negociatave

Siç njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët, në hapësirat e Ambasadës së Francës, ambasadori Christian Thimonier priti në drekë zyrtare kreun e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ku edhe u bisedua për qëndrimin e Francës ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sa i përket rrugës së tyre drejt BE-së dhe “Non Paper-in” e ri të Francës për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sipas ASH-së,  edhe njëherë nga afër ia tregoi ambasadorit Thimonier të gjitha qëndrimet e partisë që ai udhëheq, dhe përpjekjeve që Aleanca për Shqiptarët vazhdon t’i bëjë për të ngritur vendin në nivelin e duhur për të plotësuar të gjitha kushtet për hyrje në BE, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nga ASH njoftojnë se Ziadin Sela theks të veçantë i dha shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, sigurinë si dhe lirinë e shprehjes.

Në takim,  Sela ka potencuar se reformat që neve si shtet na duhen, dhe të cilat medoemos duhet t’i arrijmë janë në favor të qytetarëve, stabilitetit në vend dhe prosperitetit, ndërkaq disa herë potencoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet të ndahen nga procesi i negociatave, por duhet që kësaj rruge t’i shkojnë bashkë deri në fund./Telegrafi/