Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, pas përfundimit të procesit zgjedhor në konferencë të përbashkët me kandidatin për kryetar shteti Blerim Reka dhe kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tha se shqiptarët në këtë cikël zgjedhor e dhanë mesazhin dhe dëshmuan se janë të pakënaqur.
Ai përkujtoi kryeministrin Zaev se ka thënë nëse i humb zgjedhjet presidenciale, qoftë edhe me një votë, do të shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Shqiptarët e dhanë qartazi mesazhin dhe sot me votë dëshmuan se janë të pakënaqur. Këtë e dëshmuan me votë direkte për profesor Rekën ku në të gjitha komunat me shumicë shqiptare, profesor Reka fiton me rezultatin 3 me 1. Mesazh të fortë jep edhe numri i ulët i daljeve në komunat me shumicë shqiptare, bojkoti për definicion, është bojkot ndaj pushtetit dhe bojkot ndaj pushtetit qeverisës”, tha mes tjerash Sela.
Ai më tej shtoi se shihet edhe gjurmët e shtetit të zbrazët, mungesë të shtetit të së drejtës, si dhe mungesë të shpresës në këtë vend.
Sela theksoi se partitë në pushtet kanë humbur përfundimisht në këto zgjedhje./Telegrafi/