Ziadin Sela në konferencën e sotme për shtyp në Tetovë njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët.
Ai theksoi se arsyeja e dorëheqjes së tij janë rezultatet në zgjedhjet e fundit në Tetovë, duke shtuar se Tetova nuk është vetëm komunë dhe qytet, por diçka më shumë, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Kisha takim sot me kryesinë e ngushtë të ASH-së. Biseduam rreth situatës politike, pas zgjedhjeve lokale në Tetovë. Qëndroj pas çdo fjale që e kam dhënë dhe ajo është që Tetova nuk është vetëm komunë dhe nuk është vetëm qytet. Rezultatet në Tetovë janë jashtë çdo pritshmërie tonë dhe unë si kryetar partie jam i gatshëm të marr përgjegjësi dhe këtë e bëj. Jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të partisë”.
“Në periudhën e ardhshme partia do të duhet të vendosë kush do të jetë kryetar i partisë. e Falënderoj mundësinë të falënderoj mbështetësit e ASH-së dhe gjithashtu i ftoj të besojnë edhe më tej, pasi nga ky proces ne do të dalim edhe më të fortë”, tha mes tjerash Sela.
I pyetur se kush duhet të jetë kryetar i ardhshëm i partisë, ai tha se nuk është e ndershme që ai të përgjigjet në lidhje me këtë, duke shtuar se kjo është e drejtë e organeve partiake./Telegrafi/