Telegrafi

Sekuestrohet një armë në Mitrovicë

Si rezultat i hetimeve intensive, hetuesit në kuadër të stacionit policor ‘Jugu’ në Mitrovicë, njoftojnë se në orët e mesditës së sotme kanë arritur që nga njëri nga të dyshuarit e rastit të djeshëm të gjejnë dhe të sekuestrojnë një armë të llojit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur ditë më parë në rastin e përleshjes ndërmjet disa të rinjve.

Sipas njoftimit për media i dyshuari nga i cili është marrë arma është intervistuar, më pas është liruar për procedurë të rregullt, ku ndaj tij është iniciuar rast për ‘përdorim të armës’, ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Ndryshe, dje rreth orës 07:00, Policia në Mitrovicë ka pranuar informacion për një përleshje fizike në mes të disa të rinjve të moshës së mitur në rrugën e ‘UÇK-së’ në Mitrovicë.

Në përleshje ishin të përfshirë nëntë persona të moshës së mitur dhe si pasojë e përleshjes një nga të përfshirët në përleshje ka pësuar lëndime trupore, i cili ka kërkuar tretman mjekësor në spitalin rajonal në Mitrovicë.

Hetuesit policorë, në cilësi të provave materiale, në vendin e ngjarjes, kanë gjetur dhe kanë konfiskuar një gëzhojë e cila dyshohet të jetë shkrepur nga të përfshirët në përleshje./Telegrafi/