Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Prizren, gjatë zbatimit të një plani operativ ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Sipas njoftimit për media thuhet se me datën 04.06.2024 rreth orës 19:00, në kuadër të planit operativ të lartcekur, DHTN-njësia në Prizren, ka pranuar informacione se i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se nga banesa e tij në Prizren në intervale të ndryshme kohore ka shitur dhe ka shpërndarë substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë.
“Pas pranimit të këtij informacioni, lidhur me këtë rast, është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake nga njësia e lartcekur policore është organizuar një urdhër kontroll në banesën në të cilën ishte duke banuar personi i dyshuar i lartcekur, ku gjatë kontrollit të realizuar janë gjetur dhe janë sekuestruar përkohësisht dëshmitë si në vijim:
-një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej rreth 14.56 gramë (e përgatitur për shitje),
-një qese plastike me substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë me peshë prej rreth 1.69 gramë (e përgatitur për shitje),
-një telefon mobil,
-një pako me folje alumini,
-njëqind e dymbëdhjetë (112) euro para të gatshme”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin personi i dyshuar është dërguar për intervistim, ku pas intervistimit ndaj të njëjtit është shqiptuar masa e ndalimit policor, derisa me procedurat e mëtejme hetimore lidhur me këtë rast vazhdojnë të merren njësitë përkatëse policore. /Telegrafi/