Site icon Telegrafi

Kapen rreth 18 kg marihuanë në autostradën Prizren-Veri – arrestohen dy persona-i treti në arrati

Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik sot në rrotullimin hyrje-dalje në autostradë Prizren-Veri ka ndaluar dy vetura të dyshuara ku gjatë kontrollimit të tyre janë gjetur një qese e plastikës, një valixhe me 36 paketime substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë gjithsej rreth 18 kg.

Sipas njoftimit, gjatë zhvillimit të operacionit në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një veturë e tipit Renault me targa vendore, një veturë e tipit Audi me targa vendore, telefona mobil, si dhe prova të tjera materiale që ndërlidhen me rastin.

“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar, ku gjatë kontrollimit të tyre nuk është gjetur asgjë e dyshimtë”, thuhet në komunikatën për media.

Me vendim mbi ndalimin e personave, dy të dyshuarve meshkuj/kosovarë u është caktuar masa e ndalimit, ndërsa një person tjetër i dyshuar mashkull/kosovar gjendet në arrati.

“Të gjitha dëshmitë lidhur me rastin janë fotografuar dhe tërhequr nga Njësia e Krim Teknikës, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitë kompetente policore”, përfundon komunikata. /Telegrafi/

Exit mobile version