Të premten në rajonin e Pejës është organizuar një aksion i madh anti-drogë, ku u sekuestruan mbi një ton drogë, në vlerë rreth 5 milionë euro.
Aksioni u vlerësua si ndër më të mëdhenjtë që nga pas lufta.
Lajmin për aksionin e dha fillimisht zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi. Ai në një postim në Facebook njoftoi për aksionin e madh anti-drogë.
“…mbi një ton drogë është sekuestruar nga Prokuroria Themelore në Pejë. Vlera e drogës është rreth 5 milion euro dhe është ndër aksionet më të mëdha antidrogë nga paslufta. Aksioni është në zhvillim. Për detaje tjera ju njoftojmë ndërkohë”, ishte shprehur më pas Nikçi për Telegrafin.
E sot në raportin 24-orësh, Policia jep detaje të aksionit.
“Pejë 27.09.2024 – 06:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Republikës Shqipërisë, pasi që kishte mbjella 2850 bimë të llojit kanabis-sativa të cilat janë shkartuar, ndërsa janë sekuestruar 2530 euro para të gatshme, gjashtë telefona mobil, 133.95 kg substancë narkotike marihuanë dhe një sasi e madhe e drogës të përpunuar dhe të pa përpunuar, e cila pritet të peshohet në ditë e ardhshme, pasi që kalon peshën e një toni, me vlerë rreth pesë milion. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Pas aksionit të së premtes në Pejë, Prokuroria Themelore dhe Policia kanë mbajtur një konferencë për media.
Në konferencën për media u bë e ditur se deri tani kanë arrestuar një person, dhe se janë në kërkim edhe të gjashtë personave tjerë të dyshuar, transmeton Telegrafi.
“Këto dy lokacione ku kemi bërë veprime hetimore janë lokacione të përmasave të mëdha të kultivimit të kanabisit. Jemi në fazën e përpunimit të vendit të ngjarjes dhe në vlerësimet tona, sasia dhe vlera mund të dalin më të mëdha. Njëra nga plantacionet ka qenë e rritur në nivelin ku konsiderojmë se një bimë kanabisi mund të japë produkt të marihuanës gjysmë kilogrami. Ka qenë hetim i gjatë, mbi dy muaj, i koordinuar me njësitet respektive të Policisë. Një person është i arrestuar, shtetas i Shqipërisë, i cili ka qenë në cilësinë e punëtorit për këto dy parcela. Kemi edhe persona të tjerë të dyshuar, të cilët janë në fazën e kërkimit dhe identifikimit. Për këta nuk kemi detaje të tjera”, tha togeri Astrit Jasiqi.
Tutje, ai shtoi se destinimi i marihuanës ka qenë tregu ndërkombëtar dhe se vlera e substancave narkotike është mbi 5 milionë euro.
E në orët e pasdites, lidhur me aksionin në Pejë, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka përgëzuar Policinë dhe Prokurorinë për aksionin e realizuar, ku u sekuestruan mbi një ton substanca narkotike.
Ministri thotë se goditjet ndaj këtij fenomeni rezultojnë të suksesshme kur janë të njëpasnjëshme e të pandërprera, transmeton Telegrafi.
“Përgëzoj Njësitin e Antidrogës në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Pejë për aksionin e suksesshëm të sekuestrimit të mbi një ton substancë narkotike të llojit marihuanë. Goditjet ndaj këtij fenomeni rezultojnë të suksesshme kur janë të njëpasnjëshme e të pandërprera”, ka pohuar ministri.
Tutje ai ka shkruar se vendi i kriminelëve është prapa grilave.
“Siç kam thënë pas goditjes së laboratorit tjetër rreth një javë më parë, prapa grilave është vendi i kriminelëve që merren me veprimtari të tilla”, shkruan ai. /Telegrafi/