Telegrafi

Sekuestrimi i 400 kilogramëve kokainë në Lipjan, shtatë të arrestuarit sot dalin para gjykatës

Sot do të mbahet seanca për shtatë kosovarët që u arrestuan gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në Lipjan, ku u sekuestruan 400 kilogramë kokainë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Po, seanca për shtatë të arrestuarit do të mbahet sot, në orën 10:30”, deklaroi ajo.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit të shtatë personave, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kg narkotikë të llojit kokainë.

Lexo po ashtu Lumezi jep detaje për aksionin e sotëm: U konfiskuan 400 kg kokainë në vlerë 20 milionë euro

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu kishte bërë të ditur se prokuroria kërkesën e ka bërë për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria Speciale kërkesën e ka bërë për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ nga neni 269 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së dhe në drejtim të veprës penale ‘Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve;’ nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së”, ka thënë Lutfiu.

Të hënën, Policia e Kosovës së bashku me policinë e Shqipërisë dhe atë italiane kanë realizuar me sukses një operacion në Lipjan, ku janë sekuestruar 400 kilogramë kokainë, vlera e të cilës arrin në 20 milionë euro.  /Telegrafi/