Kancelari gjerman Olaf Scholz shpjegoi përmbajtjen e një valixheje argjendi misterioze me të cilën ai mbërriti në Kiev të Ukrainës.
Dhe sipas tij, në valixhe kishte një gardërobë të zakonshme udhëtimi, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Scholz-it iu kërkua të tregonte se çfarë kishte në valixhen e argjendtë me të cilën ai mbërriti në Kiev, nëse ky informacion nuk klasifikohet si sekret.
“Sa detaje dëshironi të dini? Këto janë gjërat që merren në një rrugëtim…”, ka thënë Scholz gjatë një konference të përbashkët me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Sidoqoftë, aksesori i pazakontë i kancelarit gjerman ngacmoi imagjinatën e përdoruesve të rrjeteve sociale dhe u bë shkak për shaka dhe meme.
Ndërsa disa përdorues bënin shaka se në valixhe mund të kishte një termos me sanduiçe me kafe dhe gjalpë të mbështjellë në letër, të tjerë spekuluan se Scholz nuk po sillte asgjë me vete në valixhe, por përkundrazi merrte diçka.
Kishte të tillë që gjithashtu me shaka thanë se kancelari mund të sillte personalisht dërgesat shtesë të armëve të njoftuara së fundmi në Ukrainë me vlerë 650 milionë euro. /Telegrafi/