Site icon Telegrafi

Sekretari Pomepo e uron Hotin, ky i fundit thotë se do të punojnë ngushtë për normalizim të raporteve me Serbinë

Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se ka pranuar sot një urim nga Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo.

Hoti ka thënë se Pompeo e ka uruar atë për marrjen e detyrës në formë demokratike dhe paqësore.

Kryeministri Hoti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se janë të përkushtuar për të punuar së bashku me SHBA-të për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Departamenti amerikan i shtetit dhe sekretari Mike Pompeo, më ka uruar  sot për procesin demokratik dhe paqësor të formimit të qeverisë. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë së bashku dhe jemi shumë falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e përqendruar në njohje të ndërsjellë!”, ka shkruar Hoti.

Në letrën e Sekretarit Pompeo thuhet:

 I nderuar Kryeministër,

Dëshiroj të uroj Kosovën për procesin paqësor dhe demokratik të formimit të qeverisë. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lart miqësinë me Kosovën, si dhe mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit SHBA-Kosovë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

 Jam i bindur se mund të punojmë së bashku për promovimin e prosperitetit dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, që është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë. E kemi mirëpritur vendimin e qeverisë suaj për heqjen e të gjitha masave të reciprocitetit mbi mallrat serbe, që shënoi një hap vital për rinisjen e procesit të dialogut. Kosova duhet të jetë e gatshme të rifillojë negociatat me Serbinë sa më parë që është e mundshme.

Gjithashtu, e mirëpres zotimin tuaj për të luftuar korrupsionin si prioritet i lartë i qeverisë tuaj. Ne do vazhdojmë mbështetjen tonë për përpjekjet kundër korrupsionit, si dhe për iniciativat e tjera që synojnë të rrisin sundimin e ligjit dhe të forcojnë institucionet demokratike që mund të sigurojnë trajtim dhe drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Së bashku do të tejkalojmë pandeminë COVID-19 dhe do të ndërtojmë një shteg për realizim të potencialit ekonomik të Kosovës.

 Mbetem i përkushtuar për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve tona./Telegrafi/

 

Exit mobile version