Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se partia e tij nuk ka vota për të bashkëpunuar me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.
Sejdiu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ” nuk kemi vota për ata që i quajnë banditë përfaqësuesit legjitim të Kosovës dhe për ata që veprojnë çdo ditë kundër Republikës së Kosovës”.
Postimi i plotë:
NUK KEMI VOTA PËR LISTËN SERBE NË KUVEND
Partia Socialdemokrate nuk ka vota për të bashkuar me Listën Serbe në Kuvendin e Republikës.
Nuk kemi vota për ata që i quajnë bandita përfaqësuesit legjitim të Kosovës dhe për ata që veprojnë çdo ditë kundër Republikës së Kosovës.
Mbetemi jo vetëm të hapur, por edhe të interesuar, për bashkëpunim me të gjitha forcat progresive lokale dhe rajonale, që angazhohen për barazi midis popujve.
Ato nuk janë Lista Serbe dhe shefat e tyre që raportonin nga Pale për bombardimet e Ratko Mlladiqit mbi Sarajevën dhe që ishin ministra të propagandës së Millosheviqit në kohën e krimeve të aparatit të tij shtetëror në Kosovë.
Njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve reciproke. Përgjegjësia dhe adresa për mosnormalizim është në Beograd, jo në Prishtinë. /Telegrafi/