Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka kërkuar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti që të mos i shmanget nënshkrimit për garancionin e blerjes së autobusëve.
Ministri Hoti ditë më parë ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk i ka plotësuar kërkesat ligjore të parapara me Ligjin për borxhe publike lidhur me marrjen e garancisë shtetërore për kredi 10 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për reforma në “Trafikun Urban” dhe blerjen e 51 autobusëve.
Nënkryetari i Prishtinës, ka thënë se Hoti sot është takuar me Kryesuesin e Kuvendit Komunal pa paralajmërim dhe në shpërputhje me rregullat protokollare.
“Ndonëse para 1 muaji i kërkuam takim trepalësh Ministrit të Financave, Avdulla Hoti, ai nuk pranoi me arsyetimin se është i zënë. Sot pa paralajmërim dhe në shpërputhje me çdo rregull protokolli erdhi në Komuna për t’u takuar me Kryesuesin e Kuvendit dhe pas takimit me të, organizoi konferencë për media në sallën e Kuvendit Komunal së bashku me Kryesuesin”, ka sqaruar Sejdiu në një postim në Facebook.
“Duke e parë që ky person eskivon secilës përballje dhe takim ,unë vendosa që të shfrytëzoj rastin dhe të qartësohemi për bllokimin që po i bën blerjes së 51 autobusëve, në mënyrë transparente dhe para qytetarëve”, ka shkruar Sejdiu.
“Kur Ministri e kuptoi që duhet të debatojë dhe sqarohet ai iku. Ministër mos ik, nënshkruaje garancionin”.