Drejtori i shkarkuar i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu ka thënë se është shkarkuar nga posti pa asnjë paralajmërim, ndërsa e ka quajtur vendimin politik.
Sejdiu në një konferencë për media tha se do të bëj ankesë në Inspektoratin e Punës dhe Gjykatën kompetente.
“I drejtohem qytetarëve dhe pacientëve për realitetin. Bordi dje pa paralajmërim më sjellin një vendim për shkarkimin tim. Është vendim politik. Asnjë vendim nuk lidhet me menaxhimin tim. Raporti i auditorit është i vitit të kaluar të cilat vet i kemi iniciuar. Nuk janë të gjeturat që mund të bazohet bordi për shkarkimin tim. Parregullsia tjetër e bordit është që ka anëtar të cilët kanë nënshkruar dhe kanë munguar”, ka thënë Sejdiu.
Ai po ashtu tha se do t’i padisë të gjithë ata që e kanë etiketuar për keqmenaxhim në ShSKUK.
“Do të bëj ankesën në Inspektoratin e punës dhe njerëzit që etiketuan do t’i padisë. Kur e kam marr këtë pozitë e kam gjetur një katrahurë që nga dera e spitalit”, tha ndër të tjera Sejdiu.
Ai po ashtu foli edhe për të arriturat e tij gjatë udhëheqjes së SHSKUK-së.
Ndryshe, të hënën bordi i ShSKUK-së ka marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm Basri Sejdiu, si pasojë e performancës jo të kënaqshme dhe mos përmbushjes së detyrave të punës. /Telegrafi/