Site icon Telegrafi

Sefer Seferi thotë se lëndimi i krahut e shtyu të dorëzohej: Nuk jam penduar për luftën, jam burrë i ndershëm e boksier i vërtetë

Boksieri shqiptar, Sefer Seferi, ka treguar arsyen prapa vendimit të tij për t’u dorëzuar pas raundit të katërt në duelin ndaj Tyson Furyt të shtunën mbrëma.

Dueli i zhvilluar në Manchester Arena pa për fitues Furyn pa ndonjë befasi të madhe.

Por, Seferi që filloi më mirë takimin duke kontrolluar përballjen me shpejtësinë, befasoi të gjithë me vendimin e tij për t’u dorëzuar pas raundit të katërt, raund kur edhe mori goditje nga Fury.

Sipas Seferit, goditja ishte e fuqishme nga Fury, por ai pësoi një dëmtim në krahun e djathtë dhe kjo ja pamundësoi që të vazhdonte luftën sepse asgjë nuk mundi të bënte me të djathtën nga dhimbjet në krahune djathtë. Ai thotë se vendimi që e mori ishte i drejtë.

“Në fillim ka funksionuar mirë. Kam pasur lëvizje të mira. Ai ishte më i rëndë. Unë isha më i shpejtë dhe pata hapësirë për të goditur”.

Momenti kur Sefer Seferi e godet Tyson Furyn, Foto: Getty Images

“Por, në raundin e katërt mora një goditje me të djathtën. Më pas më është bllokuar krahu dhe mora vendimin se nuk mund të vazhdoj më, diferenca ishte e madhe me Tyson Furyn”.

“Me të majtën provova, por me të djathtën nuk shkonte. Nuk funksionoi asgjë. Dhe, mendoj se mora vendimin e duhur pas raundit të katërt”.

Tjetër goditje, Foto: Getty Images

“Nuk jam penduar. Unë jam luftëtar dhe nuk pendohem për luftërat që i bëj. Unë kam krenari, jam Sefer Seferi. Jam boksier i vërtetë. Jam burrë i ndershëm”.

“Nuk më kanë nënvlerësuar. Ai ishte më i madhi dhe më i forti, këtë e diti e gjithë bota. Ai është i një tjetër niveli”.

“Mendoj se mora vendimin e duhur. Pas ndeshjes krahun e kisha të bllokuar. E lëndova gjatë luftës. Dhimbjet ishin të mëdha dhe me të përfunduar raundi i katërt doja që të përfundonte sa më shpejt kjo përballje sepse nuk munda ta lëviz më krahun”, deklaroi Sefer Seferi për Blick pas duelit.

/Telegrafi/

Exit mobile version