Gjykata e Apelit ka nisur këtë të martë, 11 qershor, shqyrtimin e çështjes së vulës dhe siglës së Partisë Demokratike.
Në seancën që po mbahet në Apel, do përcaktohet se kush do të ketë drejtimin e forcës më të madhe opozitare në vend.
Rithemelimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, përfaqësohet në gjyqin për vulën nga Ivi Kaso, Ledina Mandija dhe Oerd Bylykbashi.
Sakaq, Partia Demokratike e Lulzim Bashës, përfaqësohet nga Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi.
Pas rreth një ore ku PD zyrtare paraqiti argumentat e saj, përfaqësuesi Indrit Sefa ka kërkuar prishjen e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili vendosi atëherë që vula t’i jepej Berishës.
Nga ana tjetër Rithemelimi parashtroi në nisje të seancës një kërkesë paraprake që ka të bëjë me mospranimin e ankimimit të Alibeajt, për shkak se pretendon që nuk legjitimohen si palë.
Përfaqësuesi i Rithemelimit, Ivi Kaso kërkoi lënien në fuqi të vendimit ‘Zhukri’ dhe njohjen e vendimeve te Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021.
“E drejta e anikimimit i takon vetëm palës qe ka vënë në lëvizje gjykatën”, tha Kaso.
Në përgjigje të pretendimit të Rithemelimit, përfaqësuesi i PD, Indrit Sefa se Gjykata e Lartë e ka ndarë në vendimin e saj kush është palë dhe tashmë duhet të caktohet kush ka tagrat e përfaqësimit.
“Gjykata e lartë e ka ndarë kush është palë, por kërkon që të zgjidhe se kush ka tagrat e përfaqesimit”, tha Sefa më herët.
Kujtojmë se trupa gjykuese që po merret me këtë çështje përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023.
Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.